Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot zhvilloi një takim me studentët e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, ku u diskutua për perspektivën e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës dhe mundësitë që ajo krijon për gjeneratat e reja të inxhinierëve dhe profesionistëve.
Gjithashtu u bisedua edhe për rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve vendore dhe rolin që mund të luajnë universiteti, studentët dhe stafi akademik në këtë proces me rëndësi strategjike për vendin tonë.
Ministri vlerësoi se drejtimet si inxhinieria mekanike, elektrike, kompjuterike, mekatronika dhe robotika paraqesin potencial të madh për t’u përfshirë në projektet dhe kapacitetet prodhuese të industrisë së mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe industrisë së mbrojtjes, me synim krijimin e mundësive konkrete për zhvillimin profesional të studentëve dhe angazhimin e potencialit të tyre në shërbim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.