
Gafurr Dugolli,
Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes,
Karriera akademike
Gafurr Dugolli u lind më 11 qershor 1975, në fshatin Nekoc të Drenasit.
Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin, në drejtimin matematiko-natyror e përfundoi në Drenas. Ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin Filozofik –Departamenti i Historisë dhe studimet Master në fushën e Integrimeve Evropiane dhe Administratën Publike – Departamenti i Shkencave Politike në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Karriera ushtarake, profesionale dhe institucionale
Në fillim të vitit 1998, si student në Fakultetin Filologjik – Dega e Gjuhës dhe letërsisë angleze, i ndërpreu studimet dhe u angazhua në luftën çlirimtare në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në përfundim të luftës. Pas çlirimit të vendit, vazhdoi shërbimin si epror ushtarak në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), në detyra të ndryshme me përgjegjësi shtabore e komanduese në Zonën e Parë të Mbrojtjes të TMK-së dhe SHP të TMK-së deri më 2007.
Më pas, punoi në sektorin privat, si zv.drejtor i një kompanie ndërtimi.
Në vitin 2011 filloi punën në Ministrinë e FSK-së (tani Ministria e Mbrojtjes) në pozitën e shefit të Njësisë së Protokollit, detyrë të cilën e kreu me sukses deri në vitin 2021, për të kaluar në detyrën e shefit të Sektorit të Integrimeve Euroatlantike në Ministrinë e Mbrojtjes.
Që nga tetori i vitit 2023 ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, deri më 11 shtator 2024, kur edhe u emërua zyrtarisht Sekretar i Përgjithshëm, me mandat të plotë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Përgjatë angazhimit të tij 25 vjeçar në TMK, MFSK dhe tani në MM, z. Dugolli ka kryer me sukses një numër të konsiderueshëm kursesh e trajnimesh në shkolla e qendra të ndryshme të NATO-s dhe të vendeve mike, si në SHBA, Gjermani, Turqi etj.
Familja dhe pasionet
Është folës i gjuhës angleze dhe serbe. Jeton në Prishtinë me familjen e tij, nënën Fetije, bashkëshorten Besën dhe vajzën Alketën, studente në fakultetin e mjekësisë.
Pasione të veçanta dhe hobi ka ecjen në natyrë, futbollin dhe shahun.
Kontakti me zyrën e Sekretarit : 038/20013501