4
Në kuadër të “Ditës së Hapur”, në të gjitha kazermat e FSK-së qytetarët patën mundësinë të shohin nga afër pajisjet, kapacitetet dhe demonstrimet ushtarake.
Ceremonia dhe aktivitetet e sotme dëshmojnë vendosmërinë dhe bashkëpunimin e palëkundur për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.
Dita e Forcës shërben edhe si një mundësi e veçantë për të shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj qytetarëve, të cilët vazhdojnë të jenë mbështetësit më të fuqishëm të FSK-së.
Në vijim keni postimin e plotë të ministrit Maqedonci:
“Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Urime për Ditën e Forcës – Ditën e Ushtrisë sonë!
Krenar pafund për rrugën që ka bërë FSK-ja këto vite si ushtri moderne, profesionale dhe gjithnjë më e fortë. Me mijëra ushtarë të trajnuar gjatë këtyre pesë viteve, mbi 400 milionë euro të investuar në pajisje dhe sisteme të reja të armatimit, partneritet të thelluar me SHBA-në dhe aleatët tanë të NATO-s, po ndërtojmë siguri të qëndrueshme për vendin dhe rajonin.
Zhvillimi ynë po vazhdon me hapa të mëdhenj: Në vitin 2026 pritet funksionalizimi i fabrikës së municionit dhe laboratorit për dronë në Republikën e Kosovës, një kapitull ky i ri për industrinë e mbrojtjes së vendit tonë.
Shumë rrugë kemi bërë për atë që do mbetet trashëgimi ndër breza, ushtri, komb dhe liri.
Duke rikujtuar amanetin e të parëve, sakrificën e popullit dhe të gjithë dëshmorët që ranë për lirinë tonë.
Me zemër plot krenari:
Gëzuar Ditën e Forcës! Gëzuar Ditën e Ushtrisë sonë!”



























