Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe rektorja e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM),Mihone Kerolli Mustafa sot kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim që të krijojnë mundësi të reja për avancimin akademik dhe profesional të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përmes këtij bashkëpunimi, ushtarakët e FSK-së do të kenë mundësi të ndjekin programe universitare për studime në nivelin master për gjuhën angleze, në fusha të ndryshme akademike, përfshirë menaxhimin, administratën publike, psikologjinë, teknologjinë, menaxhimin mjedisor, menaxhimin ndërkombëtar dhe qëndrueshmërinë. Memorandumi do të përfshijë edhe organizimin e trajnimeve, seminareve, punëtorive dhe projekteve të përbashkëta, duke mundësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale.
Me këtë rast, ministri Maqedonci theksoi se ndërtimi i ushtrisë kërkon përkushtim jo vetëm në aftësitë dhe përgatitjen ushtarake, por edhe në dije, lidership, profesionalizëm dhe mendim strategjik. Prandaj, investimi në arsimimin dhe zhvillimin profesional të ushtarakëve është investim i drejtpërdrejtë në fuqizimin e FSK-së dhe në të ardhmen e sigurt të Republikës së Kosovës.
Memorandumi përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një force moderne, profesionale dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.





