Në Lisbonë nderohet kontributi portugez për paqen në Kosovë

Në kuadër të një udhëtimi zyrtar në Portugali, drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Ahmet Ajeti, mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Lisbonë, me rastin e përvjetorit të Çlirimit të Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij, kolonel Ahmet Ajeti u angazhua në një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe takimesh zyrtare, me qëllim që të nderojë kontributin e ndërkombëtarëve për paqen në Kosovë, si dhe avancimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë Portugeze.

Në Muzeun Ushtarak në Lisbonë u hap një ekspozitë fotografike kushtuar shërbimit të ushtarëve portugezë në Kosovë. Në këtë ngjarje morën pjesë diplomatë dhe ushtarakë të lartë vendas, ndërsa gjatë ceremonisë dhe fjalimeve u vlerësua lart kontributi i Portugalisë për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Më pas, kolonel Ajeti iu bashkua ambasadores së Republikës së Kosovës në Portugali, Edona Maloku Bërdyna dhe vendosën kurorë me lule në Memorialin e Luftëtarëve për ta nderuar ushtarin portugez, që humbi jetën gjatë shërbimit në vendin tonë.

Po ashtu, gjatë kësaj vizite kolonel Ajeti zhvilloi një takim dypalësh me kolonel Simões de Azevedo, shef i Divizionit për Bashkëpunim në Ushtrinë Portugeze. Në takim u diskutuan hapat praktikë për avancimin e marrëdhënieve ushtarake dypalëshe.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors