4
Në këtë takim diskutuan për situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, kontributin e ofruar nga Kosova si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku po ashtu, gjatë takimit Ministri Mehaj theksoi faktin e mbështetjes që Rusia ka nga Serbia në Ballkan, si i vetmi shtet që në vazhdimësi ka përkrahur politikat pro-ruse dhe refuzon të vendosë sanksione ndaj këtij agresori.
Gjithashtu, Ministri Mehaj e njoftoi senatorin Peters për zhvillimet në Kosovë, procesin e dialogut me Serbinë, si dhe avancimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, bashkëpunimin me partnerët tanë strategjikë, e po ashtu për ushtrimin ndërkombëtar që po zhvillohet në Kosovë, “Defender Europe '23”, si shembull konkret që dëshmon ngritjen e kapaciteteve të FSK-së për të siguruar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë.
Në anën tjetër, senatori Peters shprehu vlerësimin e tij të lartë për avancimet që Kosova ka bërë jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por, gjithashtu në mirëqeverisjen e vendit në shumë drejtime, duke dëshmuar qëndrimin pro vlerave perëndimore dhe pro NATO-s, aleancës që stoikisht mbështetë ruajtjen e paqes dhe pavarësisë së shteteve.

