Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin mirëpritën anëtarët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me të cilët bashkëbiseduan për zhvillimet në sektorin e mbrojtjes dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me shtetet anëtare të Aleancës.
Gjatë takimit, ministri i informoi të pranishmit për progresin në fuqizimin dhe modernizimin e FSK-së, zbatimin e doktrinave të NATO-s, si dhe përputhjen e sistemeve të armatimit dhe pajisjeve të prokuruara me standardet e Aleancës, duke dëshmuar orientimin e qartë strategjik dhe institucional të Republikës së Kosovës. Ministri Maqedonci, po ashtu, theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qenë partnere e besueshme dhe kontribuuese aktive për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Republikës së Kosovës. Përkushtimi institucional për realizimin e këtij synimi është i palëkundur.