Në margjinat e konferencës në Zarë të Kroacisë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi takim me përfaqësuesit kanadezë, Cynthia Dodig, Komisionere e Tregtisë, dhe Mathieu Lacroix, drejtor për Zhvillimin e Biznesit në sektorin e hapësirës ajrore pranë Korporatës Tregtare Kanadeze.
Në takim u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes dhe prokurimet ushtarake. Me këtë rast, ata u dakorduan të punojnë drejt një Memorandumi të Mirëkuptimit, i cili do të krijojë një bazë të mirë për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
Ministri Maqedonci vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht programin e shkëmbimit të kadetëve ndërmjet akademive tona ushtarake.
Republika e Kosovës vlerëson kontributin e Kanadasë në mbështetje të Kosovës dhe mbetet e përkushtuar për forcimin dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.










