Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes, znj. Blanca Hereza Atienza, të shoqëruar nga delegacioni i saj.
Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Enis Kervan dhe Inspektorja e Përgjithshme e FSK-së, gjeneralmajor Irfete Spahiu. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e sigurisë në rajon, situatën aktuale dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe NATO-s.
Ministri Maqedonci vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n dhe kontributin e Aleancës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe rajon.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n dhe për të kontribuar, me kapacitetet tona, në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar.







