Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti në takim Ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet.
Me këtë rast, Ambasadori Huchet e uroi ministrin Maqedonci për mandatin e ri dhe shprehu gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës.
Ministri Maqedonci e falënderoi Ambasadorin Huchet për gatishmërinë e shprehur, duke ritheksuar vullnetin për të avancuar partneritetin në fushën e trajnimeve, shkollimit ushtarak dhe industrisë së mbrojtjes. Gjithashtu, e njoftoi për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Programin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse dhe avancimin e kapaciteteve për prodhimin e municioneve.
Franca mbetet një aleat dhe partner i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, duke e mbështetur vendin tonë në faza të rëndësishme të shtetndërtimit dhe zhvillimit. Synimi ynë është që ky partneritet të thellohet edhe më tej, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse.




