Ministri Maqedonci mori pjesë në takimin ministror në Slloveni

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në takimin ministror për Bashkëpunimin të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pranë Kranjit, në Slloveni, ku rikonfirmoi orientimin strategjik të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në fjalën e tij, ministri Maqedonci theksoi se siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur dhe prezantoi progresin e Kosovës në ndërtimin e një force profesionale dhe bashkëvepruese, si dhe prioritetet për përmbylljen e tranzicionit të FSK-së, forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Gjatë takimit, ministri Maqedonci propozoi hapa konkretë për bashkëpunimin rajonal, përfshirë lehtësimin e lëvizjes së forcave në situata krize, koordinimin e reagimit ndaj fatkeqësive dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes. Gjithashtu, ministri Maqedonci propozoi krijimin e një grupi punues për zhvillimin e mëtejshëm të nismës për themelimin e Kolegjit të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor, ku udhëheqësit e ardhshëm ushtarakë dhe civilë do të kenë mundësi të mësojnë e të ndërtojnë besim së bashku.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit u pajtuan për një deklaratë të përbashkët, e cila riafirmon përkushtimin ndaj sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit praktik në fushën e mbrojtjes ndërmjet Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor. Deklarata thekson rëndësinë për gatishmëri, bashkëveprim dhe përmirësim të lëvizshmërisë ushtarake në rajon.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë si partnere e besueshme për siguri dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors