4
Në vijim keni postimin e plotë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci lidhur me këtë aktivitet:
“Homazhe në Prekazin legjendar, nga ku nisën shkëndijat e luftës e të lirisë.
5, 6, e 7 marsi i vitit 1998, do të mbahet mend gjithmonë si ditët në të cilat u shkrua historia e luftës tonë çlirimtare. Tre ditët kur familja Jashari qëndroi e ra heroikisht në luftën frontale me trupat policore të Serbisë.
Një sulm i tillë menduan se do të ndalte luftën çlirimtare, por përkundrazi qëndresa e familjes Jashari dhe rënia e tyre do të ishte motivi për të gjithë ata të reja e të rinj që iu bashkuan më pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të vazhduar luftën deri në çlirim, deri në pavarësinë e vendit e frymimin lirshëm në trojet që ndër breza ishin tonat e që do të mbeten të tilla përgjithmonë.
Me bacën Rifat në mesin tonë, me gjenerallejtënant Bashkim Jasharin në komandim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e kaluara është forcë ndërsa e ardhmja motiv për punë e përkushtim të pandalur.
Ushtria jonë, Forca e Sigurisë së Kosovës është ëndërra e komandant Adem Jashari dhe e dëshmorëve e bërë realitet.
Kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të pajisur dhe më të trajnuar se sa sot dhe nuk do të ndalim së ngrituri kapacitetet e saj.
Me këtë ushtri dhe fabrikën e municionit dhe dronëve "Made in Kosova" që do të ndërtohet së shpejti, Kosova është më e sigurt, ka gra e burra në radhët e saj që i dalin zot atdheut, ndërsa jemi në rrugë të mbarë të anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike.
Lavdi të gjithë të rënëve për më të shtrenjtin atdhe! Rroftë gjithmonë kombi ynë!”