Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufit, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku diplomuan me sukses edhe 10 oficerë nga Republika e Kosovës.
Me këtë rast, ministri Maqedonci theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe një dëshmi e investimit të vazhdueshëm për të zhvilluar kuadrot profesionale ushtarake sipas standardeve të NATO-s.
“Bashkëpunimi ynë i ngushtë me Republikën e Shqipërisë vazhdon të forcohet çdo ditë. Kjo dëshmohet edhe nga shumëfishimi i numrit të ushtarakëve nga Kosova që ndjekin studime, shkollime dhe trajnime në institucionet ushtarake të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh mes tjerash ministri Maqedonci. Ai u uroi oficerëve të sapodiplomuar suksese në detyrën fisnike të shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve.
Gjatë vitit 2026, qindra pjesëtarë të FSK-së janë duke ndjekur dhe do të ndjekin programe edukimi, shkollimi dhe trajnimi në institucionet ushtarake të Republikës së Shqipërisë, duke dëshmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.