Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, veprimtarë të çështjes kombëtare, deputetë dhe qytetarë, bënë homazhe pranë shtatores së Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri, me rastin e 28-të vjetorit të rrëmbimit dhe zhdukjes së tij nga strukturat e sigurisë së Serbisë.
Xhavit Haziri ishte një veprimtar i palëkundur i çështjes kombëtare. Që nga vitet e ’80-ta, ai iu përkushtua organizimit dhe rezistencës për lirinë e Kosovës. Për veprimtarinë e tij politike vuajti edhe burgun, ndërsa pas lirimit vazhdoi angazhimin në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, 28 vjet pas rrëmbimit të tij, emri dhe vepra e Xhavit Hazirit mbeten pjesë e kujtesës sonë dhe e historisë së lirisë së Kosovës. Nderimi për të është nderim për sakrificën e një brezi që jetoi dhe veproi për një Kosovë të lirë.








