Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot u takua me drejtorin e Departamentit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christoph Israng, i shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Rainer Rudolph.
Gjatë takimit diskutuan për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, i cili shtrihet në fusha të ndryshme të mbrojtjes, si: trajnimet e përbashkëta, ushtrimet, shkollimet, blerja e pajisjeve ushtarake dhe industria e mbrojtjes. Gjithashtu, u diskutua për zhvillimet aktuale të sigurisë në rajon dhe kontributin e rëndësishëm të Republikës së Kosovës në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Drejtori Israng falënderoi Republikën e Kosovës për angazhimin dhe kontributin aktiv në çështjet e sigurisë evropiane dhe globale. Gjithashtu, ai konfirmoi mbështetjen e plotë për përfshirjen e Republikës së Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ndërsa, ministri Maqedonci shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Gjermania mbetet partner strategjik i Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, ndërsa bashkëpunimi dypalësh në këto fusha vazhdon të zhvillohet në nivelin më të lartë.







