Majori i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Driton Haxhiaj, përfundoi me sukses Kursin e Komandantit të Kontingjentit të Operacioneve Paqeruajtëse (Peacekeeping Operations Contingent Commanders Course – PKOCCC), i organizuar nga Qendra Japoneze për Trajnim dhe Kërkim për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (United Nations Peacekeeping Operations Training and Research Center – UNTRC), pranë Kolegjit të Shtabit të Bashkuar të Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë, në Tokio.
Ky kurs është i dedikuar për përgatitjen e komandantëve të kontingjenteve, batalioneve dhe sektorëve për udhëheqjen e operacioneve komplekse paqeruajtëse në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera shumëkombëshe. Përmes ligjëratave profesionale, analizave të rasteve dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit avancojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në planifikimin, koordinimin dhe udhëheqjen e misioneve paqeruajtëse.
Përfundimi me sukses i këtij kursi nga major Driton Haxhiaj dëshmon se përkushtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës për zhvillimin profesional të personelit të saj dhe ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve operacionale në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare mbetet prioriteti kryesor i tyre.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuara për të forcuar bashkëpunimin me shtetet partnere dhe institucionet ndërkombëtare të mbrojtjes, me qëllim që të përgatisë personelin për të kontribuuar në misionet paqeruajtëse dhe operacionet shumëkombëshe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.