FSK së bashku me KFOR dhe organizatat ndërkombëtare për deminim shënuan 4 Prillin-Ditën Ndërkombëtare të vetëdijesimit të rrezikut nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera

4

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneral brigade, Naim Haziri, këshilltari i ministrit të Mbrojtjes, Hajriz Sejdiu, si dhe drejtori i Qendrës Koordinuese për Deminim në MM, Ahmet Sallova. Në këtë ngjarje po ashtu ishin të pranishëm edhe zyrtarët e ambasadave të SHBA-së dhe Japonisë.

Me këtë rast, zëvendësministri Syla falënderoi pjesëmarrësit për punën e tyre të çmuar, duke cekur se prania e vazhdueshme e zonave të minuara dhe mjeteve tjera të pashpërthyera në zonat e afektuara nga to nuk përbën vetëm një rrezik për jetën e banorëve, por, vështirëson edhe gjendjen ekonomike të tyre, për shkak të mospërdorimit të këtyre tokave bujqësore dhe zonave malore.

Andaj, ai theksoi se evitimi i rrezikut nga minat dhe mjetet eksploziveve të pashpërthyera është një parakusht për rindërtimin e vendit dhe shfrytëzimin e resurseve të saja natyrore dhe ekonomike.

Ndërsa, gjeneral brigade Naim Haziri, falënderoi të gjithë të pranishmit për sukseset e tyre në pastrimin e zonave për të krijuar një ambient te sigurt për jetesë dhe evitimin e aksidenteve nga minat apo mjetet e tjera eksplozive.

Drejtori i QKD-së, Ahmet Sallova, paraqiti progresin e arritur, ku prej vitit 1999 janë pastruar mbi 63 mil. metra katrorë janë gjetur 96 mijë mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera.

Ai pohoi se njësitë e deminimit të FSK-së dhe organizatat e tjera të përfshira në pastrimin e zonave të rrezikshme, NPA dhe HALO Trust, janë duke rivendosur dhe krijuar një mjedis të sigurt në fushat e tanishme të rrezikuara, duke mundësuar zhvillimin e jetës normale.

“Këto rezultate na bëjnë krenar për punën e shkëlqyer që është kryer ku falë punës së tyre janë shpëtuar shume jetë njerëzish dhe njëkohësisht është kthyer një numër i madh i tokave komuniteteve të ndryshme për shfrytëzimin e tyre”, u shpreh z.Sallova.

Gjatë këtij aktiviteti, të gjitha organizatat e pranishme bënë prezantimin e pajisjeve dhe informuan të pranishmit për progresin e arritur deri më tani.

Kjo ditë shënohet në 60 vende të botës, të afektuara nga minat dhe mjetet eksplozive, për të rritur vetëdijesimin e rrezikut nga minat dhe mjetet e tjera eksplozive.

 

Post ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors