Ministri i Mbrojtjes , Ejup Maqedonci, sot, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe përfaqësuesin e Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz, Special Truck dhe Daniel Zittel, pranuan 12 kamionë ushtarakë Unimog – Mercedes-Benz, me kapacitet deri në 5 tonë ngarkesë, po ashtu me konfigurim 4×4, të cilët janë blerë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjermania, përveç blerjeve, vazhdon ta mbështesë FSK-në edhe përmes donacioneve. Gjatë vitit 2024, janë pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania. Ndërsa, sipas planifikimeve, gjatë vitit 2027 pritet të pranohen edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës Unimog – Mercedes-Benz. Kjo mbështetje konkrete tregon partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, gjatë vitit 2027 planifikohet të arrijnë edhe dhjetëra kamionë të tjerë. Këto furnizime, përmes blerjeve dhe donacioneve, janë pjesë e planifikimit afatgjatë për zhvillimin e kapaciteteve transportuese e logjistike të FSK-së.
Me 12 kamionët Unimog – Mercedes-Benz dhe tetë kamionëve Rheinmetall, të cilat kanë arritur gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara deri më tani nga këto dy kategori arrin në 35.
Kamionët Unimog – Mercedes-Benz, ofrojnë lëvizshmëri të lartë në terrene të vështira dhe do të mbështesin transportimin e personelit, pajisjeve e materialeve, si dhe furnizimin e njësive në kushte të ndryshme operacionale. Së bashku me kamionët Rheinmetall 8×8, ata do të forcojnë mbështetjen logjistike dhe aftësinë e njësive për të vepruar me efikasitet.
Një forcë moderne dhe profesionale kërkon kapacitete që i mundësojnë lëvizjen, furnizimin dhe përmbushjen e detyrave të saj. Logjistika është shtyllë thelbësore e gatishmërisë operacionale.
Ministri Maqedonci falënderoi kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen e vazhdueshme, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, ambasadorin gjerman z. Rainer Rudolph dhe përfaqësuesin e Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks Daniel Zittel për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të investojë në pajisje, infrastrukturë dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore, për një force profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët, në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.