FSK-ja forcon kapacitetet logjistike me kamionë ushtarakë të markës Unimog dhe Mercedes-Benz

Ministri i Mbrojtjes , Ejup Maqedonci, sot, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe përfaqësuesin e Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz, Special Truck dhe Daniel Zittel, pranuan 12 kamionë ushtarakë Unimog – Mercedes-Benz, me kapacitet deri në 5 tonë ngarkesë, po ashtu me konfigurim 4×4, të cilët janë blerë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjermania, përveç blerjeve, vazhdon ta mbështesë FSK-në edhe përmes donacioneve. Gjatë vitit 2024, janë pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania. Ndërsa, sipas planifikimeve, gjatë vitit 2027 pritet të pranohen edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës Unimog – Mercedes-Benz. Kjo mbështetje konkrete tregon partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.

Po ashtu, gjatë vitit 2027 planifikohet të arrijnë edhe dhjetëra kamionë të tjerë. Këto furnizime, përmes blerjeve dhe donacioneve, janë pjesë e planifikimit afatgjatë për zhvillimin e kapaciteteve transportuese e logjistike të FSK-së.

Me 12 kamionët Unimog – Mercedes-Benz dhe tetë kamionëve Rheinmetall, të cilat kanë arritur gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara deri më tani nga këto dy kategori arrin në 35.

Kamionët Unimog – Mercedes-Benz, ofrojnë lëvizshmëri të lartë në terrene të vështira dhe do të mbështesin transportimin e personelit, pajisjeve e materialeve, si dhe furnizimin e njësive në kushte të ndryshme operacionale. Së bashku me kamionët Rheinmetall 8×8, ata do të forcojnë mbështetjen logjistike dhe aftësinë e njësive për të vepruar me efikasitet.

Një forcë moderne dhe profesionale kërkon kapacitete që i mundësojnë lëvizjen, furnizimin dhe përmbushjen e detyrave të saj. Logjistika është shtyllë thelbësore e gatishmërisë operacionale.

Ministri Maqedonci  falënderoi kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen e vazhdueshme, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, ambasadorin gjerman z. Rainer Rudolph dhe përfaqësuesin e Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks Daniel Zittel për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të investojë në pajisje, infrastrukturë dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore, për një force profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët, në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors