Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot mori pjesë në ushtrimin ndërinstitucional “Digital Siege 2026”, ku iu drejtua profesionistëve nga institucionet publike, akademike dhe bankare të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ai theksoi se zhvillimi dhe avancimi i kapaciteteve të FSK-së në fushën e sigurisë kibernetike vazhdon të mbetet prioritet.
“Do të vazhdojmë të investojmë në dije, teknologji dhe profesionalizëm, si dhe të forcojmë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët tanë strategjikë, për një Republikë të Kosovës më të sigurt dhe më të qëndrueshme përballë sfidave të së ardhmes”, u shpreh, mes tjerash, ministri Maqedonci.
Siguria kibernetike është komponent kyç i sigurisë kombëtare. Përballimi i kërcënimeve bashkëkohore kërkon kapacitete të avancuara, përgatitje profesionale dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional.
Ky ushtrim shënon të parin e këtij lloji të realizuar nga Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike. Funksionalizimi i Qendrës në FSK është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke dëshmuar rëndësinë e partneritetit në zhvillimin e kapaciteteve tona në fushën e sigurisë kibernetike.