Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot mori pjesë në Ditën e Biznesit Kroat në Kosovë (Croatian Business Day in Kosovo 2026), organizuar nga European Investors Council, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Kosovë.
Në kuadër të këtij aktiviteti, ministri Maqedonci në panelin “Opportunities in Defense Technology and Dual-Use Industries”, diskutoi për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, teknologjitë e reja, si dhe mundësitë për investime dhe bashkëpunim ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe partnerëve evropianë.
Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një prioritet i rëndësishëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Investimet në këtë sektor, përveç forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë, krijojnë mundësi të reja për inovacion, teknologji, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim me industrinë vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ministri Maqedonci theksoi përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e partneriteteve dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për investime në teknologjitë e mbrojtjes dhe industri me përdorim të dyfishtë. Bashkëpunimi me Republikën e Kroacisë dhe partnerët evropianë është i rëndësishëm për avancimin në këto fusha.












