Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci priti në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend dhe më gjerë, si dhe për zhvillimet në fushën e mbrojtjes.
Në fokus të takimit ishte dinamika e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe bashkëpunimi i rëndësishëm me Gjermaninë, me theks të veçantë në aktivitetet e përbashkëta të trajnimit dhe stërvitjes, si dhe në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe prokurimeve ushtarake.
Ky bashkëpunim kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me partnerët, duke forcuar më tej rolin e Republikës së Kosovës si kontribuese e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Republikës së Kosovës në rrugëtimin drejt ndërtimit të një force moderne, profesionale dhe të aftë për të kontribuar në sigurinë kolektive.