Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.
Gjatë takimit u diskutua për situatën e përgjithshme të sigurisë, zhvillimet aktuale dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon.
Ministri Maqedonci dhe ambasadori Kraevski vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, si dhe rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit bilateral në fushat me interes të përbashkët.
Në takim u theksua se Bullgaria, si vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës. Kontributi i saj ndër vite për paqen dhe sigurinë në Kosovë, përmes pjesëmarrjes në KFOR, u vlerësua si dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të Bullgarisë ndaj stabilitetit dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Po ashtu, u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Bullgarisë për Kosovën në proceset e integrimit në strukturat euroatlantike.
Në përmbyllje të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vijuar angazhimin e përbashkët dhe për të avancuar më tej bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë në funksion të objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.





