Delegacioni i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të Ministrisë së Mbrojtjes realizoi një vizitë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Tiranë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore.
Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes i kryesuar nga kolonel Arife Halili dhe në përbërje të nënkolonel Shaip Kryeziu, Shefit të Sektorit për Politika të Rekrutimit, Fatmir Muqolli dhe nënkolonel Fatlum Demiri, zhvilluan takime me homologët në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë të udhëhequr nga kolonel Artan Ajazi, Qendrën e Personel-Rekrutimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), të udhëhequr nga kolonel Fadil Ciroku si dhe Drejtorinë J1 të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-it të udhëhequr nga kolonel Nesti Resulaj.
Në kuadër të vizitës, delegacioni ka zhvilluar takime edhe me drejtues të latë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përfshirë zëvendësshefen e FARSH-it, gjeneral brigade Razije Mehmeti, Drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-it, gjeneral brigade Ardian Lilo, komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura, general major Ferdinant Dimo, si dhe zëvendëskomandantin e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, kolonel Arben Toska.
Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime edhe me kadetët dhe pjesëtarët e FSK-së, të cilët vijojnë shkollimin dhe trajnimet në Akademinë Ushtarake dhe në kurset e karrierës në kuadër të FARSH-it.
Gjatë prezantimeve dhe diskutimeve, temë kryesore ishte shkëmbimi i ideve dhe përvojave në proceset e menaxhimit të burimeve njerëzore, me fokus të veçantë në rekrutimin, trajnimin, edukimin, zhvillimin dhe avancimin profesional të personelit ushtarak. Gjithashtu, diskutimet u përqendruan në programet e kurseve të karrierës, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit.
Në kuadër të vizitës, delegacioni u njoh nga afër me praktikat e rekrutimit dhe dhe organizimin e fushatave rekrutuese, duke marrë pjesë edhe në Panairin e Karrierës të organizuar në Tiranë.
Palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve profesionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.