Ministri Mehaj priti sot në vizitë, u.d.Ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Filip Adzic

4

Me këtë rast, dy ministrat diskutuan rreth bashkëpunimit fqinjësor, zhvillimit të kapaciteteve ushtarake profesionale përmes realizimit të ushtrimeve dhe trajnimeve të përbashkëta ndërmjet dy ushtrive, e po ashtu edhe rreth ushtrimit fushor " Defender Europe '23.

Gjithashtu, Ministri Mehaj njoftoi homologun e tij malazez rreth zhvillimeve të FSK-së, fazën e zbatimit të Planit të Tranzicionit, ndryshimeve ligjore, për rekrutimet e fundit, e gjithashtu edhe për synimet e qarta për anëtarësim në nismat rajonale, në A5, RACVIAC e Programin e Partneritetit për Paqe.

Nga ana tjetër, Ministri Adzic theksoi se agresioni rus në Ukrainë ka qenë mesazh se duhet ndryshuar mënyrën e të funksionuarit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si shtete relativisht të vogla që duhet mbështetur njëra-tjetrën për të ruajtur stabilitetin e rajonit.

Më pas, dy ministrat vizituan Qendrën e Studimeve Universitare si dhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në Kërkim-Shpëtim, në Pomazatin ku u pritën nga komandanti i Komandës së Gardës Kombëtare, gjeneral brigade Naim Haziri.

Më pas, ministri Adzic shprehu vlerësimin e tij të lartë për nivelin e lartë profesional të pjesëtarëve të FSK-së si dhe faktin që kontigjenti ynë i specializuar është duke marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi.

Ministri Adzic në vazhdim theksoi se " ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por është në dorën tonë që të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Në këtë aspekt Mali i Zi është i gatshëm të mendoj jashtë kutisë, dhe se Republikën e Kosovës e sheh si shtet partner që përtej aspektit gjeografik dhe shtrirjes brenda Ballkanit Perëndimor, na bashkojnë vlerat e përbashkëta demokratike, euro-atlantike".

Në fund, ai shprehu zotimin se Republika e Kosovës do të ketë përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësim në Programin e Partneritetit për Paqe, si rrugë drejt anëtarësimit në NATO.

 

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors