4
Fillimisht, Ministri Mehaj e falënderoi z. Smith dhe ekipin e tij për vizitën, duke u shprehur mirënjohës për mbështetjen e ofruar përmes këshilltarëve të fushave të ndryshme në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK si dhe e njoftoi atë me të arriturat në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionin, bashkëpunimin ndërkombëtar, synimin tonë drejt anëtarësimit në programin për partneritet të paqes dhe NATO.
Me këtë rast, Ministri Mehaj bëri të ditur se theks të veçantë i ka kushtuar rolit të këshilltarëve bilateralë nga SHBA, siç është këshilltari për PPBE, Joe Duncan dhe ish këshilltares për ndërlidhje me Kuvendin, Katherine Barton.
“Ndikimi i këshilltarëve bilateralë është evident në punën tonë të përditshme. Sot ne e kemi z. Joe Duncan i cili në suaza ditore bashkëpunon me secilin prej nesh dhe rezultatet janë të jashtëzakonshme. E gjithashtu falë tyre kemi edhe kapacitetin e ndërlidhjes me Kuvendin z. Faton Krasniqi, ku falë komunikimit nëpërmjet këtij kapaciteti është rritur llogaridhënia dhe transparenca ndërsa mbikëqyrja nga ana e legjislativit po bëhet edhe më e mirë”, tha Ministri Mehaj.
Në këtë takim, Ministri Mehaj po ashtu ka kërkuar nga Departamenti i Shtetit mbështetje edhe me kapacitete të tjera të këshilltarëve, e me theks të veçantë në fushën e burimeve njerëzore si dhe në inteligjencë ushtarake.
Nga ana e tij, z. Smith, e falënderoi Ministrin Mehaj për pritjen, si dhe shprehu gatishmëri për mbështetje të mëtutjeshme pasi që theksoi se e gëzon fakti që këshilltarët nga Departamenti i Shtetit kanë kontribuuar në rezultatet e MM/FSK-së.
Gjithashtu, ai theksoi se si aset shtesë së shpejti do të vije edhe një këshilltar rreth çështjeve të blerjeve si dhe përmendi edhe fushën e Sigurisë Kibernetike, ku z.Smith tha se në të ardhmen do të shqyrtohet mundësia edhe për angazhimin e ndonjë specialisti në rolin e këshilluesit për këtë fushë.