Ministri Mehaj raporton në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, lidhur me të arriturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me këtë rast, ministri Mehaj theksoi se gjatë këtyre 5 muajve, prej raportimit të tij të fundit, aktivitetet e Ministrisë së Mbrojtjes janë zhvilluar në përputhje me Planin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, objektivave dhe planit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2022.

Ministri Mehaj me këtë rast ishte i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Salvador Elmazi, Gjeneral major, Gëzim Hazrolli, Gjeneral brigade, Nazmi Brahimaj dhe Drejtori i Departamenti Ligjor, Avdylkader Muçaj.

Në vijim paraqesim raportin e ministrit Mehaj ku ka theksuar të arriturat dhe sukseset kryesore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë:

I nderuar kryetar i Komisionit, z. Berisha,

Nënkryetar,

Të nderuar anëtarë,

Kam kënaqësinë që sot para juve si Komision për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ta bëjë raportimin e tretë për aktivitetet dhe të arriturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Gjatë këtyre 5 muajve, prej raportimin tim të fundit, aktivitetet e Ministrisë së Mbrojtjes janë zhvilluar në përputhje me Planin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Objektivave të tona dhe planit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2022.

Për fillim dua t’i theksoj të arriturat dhe sukseset kryesore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë:

– Buxheti më i lartë ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes – FSK-në: 102.3 MIL €

– Avancimi i bashkëpunimit bilateral me shtetet partnere

– Avancimi i kapaciteteve të FSK-së përmes blerjeve dhe ushtrimeve

– Rekrutimi i 840 ushtarëve dhe rritja e transparencës në rekrutim si dhe planifikimi i rekrutimit të ri të ushtarëve dhe civilëve në FSK, në këtë vit.

  1. Aktivitetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë vitit 2021

Aktivitetet e Ministrisë së mbrojtjes janë të planifikuara bazuar në Objektivat e Ministrit dhe Planit të Ministrisë së Mbrojtjes në përputhje me Planin e Qeverisë. Andaj:

Fokus i veçantë për mua si Ministër çdoherë është rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, Prandaj si Ministri iu kemi mbajtur të informuar juve përmes raportimit dhe opinionin e gjerë publik përmes publikimeve të vazhdueshme.

Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar avancimit të bashkëpunimit bilateral, përfshirjes së FSK-së në aktivitetet ndërkombëtare, si ushtrime dhe trajnime, si dhe pjesëmarrja në forume të sigurisë. Gjithashtu kemi vazhduar në kompletimin e politikave dhe legjislacionit në fushën e Mbrojtjes.

Bashkëpunimi me shtetet tjera në fushën e diplomacisë ushtarake, është rruga që na garanton anëtarësimin në PFP dhe në NATO, andaj takimet dhe vizitat me përfaqësues të shteteve tjera kanë vazhduar të jenë fokus e punës sime si Ministër. Situata në Ukrainë ka ndikuar në reduktimin e vizitave, takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme kanë vazhduar në formë alternative të komunikimit, pra përmes VTC.

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral, kam pritur për vizita zyrtare homologët e mi si: Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, z. Banozic ku gjatë vizitës kemi nënshkruar Memorandumin e ri të Mirëkuptimit dhe jemi pajtuar të intensifikojmë bashkëpunimin bilateral.

Takim produktiv kam pasur edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë, z. Tonin, kemi diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit më të thellë bilateral.

Me Ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, z. Akar jemi dakorduar mbi fushat e bashkëpunimit si dhe për nënshkrimin e një numër të marrëveshjeve në takimin tonë të radhës.

Po ashtu, kam pritur në vizitë Ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, znj. Petrovska dhe kemi nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit.

Në të gjitha këto takime kam kërkuar nga shtetet tona partnere ta mbështesin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në NATO si dhe të këtë rritje të pjesëmarrjes së FSK-së në ushtrime dhe aktivitete me ushtritë e tyre. Në çdo takim kam theksuar që Kosova dënon sulmet e Rusisë në Ukrainë dhe mbetet aleate e vendeve demokratike. Po ashtu kam theksuar ndikimin që situata aktuale në Ukrainë mund ta këtë në Kosovë dhe në rajon.

Sa i përket forumeve të sigurisë, kam marr pjesë në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes në Organizatën e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore, e njohur si CEDC, e cila ishte kryesuar nga Kroacia. Kurse, në vitin 2022, ky aktivitet do të kryesohet nga Austria, ku tanimë e kam konfirmuar pjesëmarrjen. Mesazhi im kryesor është që Kosova është partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm, i cili merr përgjegjësitë në rrethana të caktuara dhe ka synim kryesor anëtarësimin në NATO.

Me ftesë zyrtare kam udhëtuar në Izrael, ku kam takuar ministra dhe udhëheqës të dikastereve të ndryshme të Qeverisë së Izraelit, me të cilët kemi biseduar për marrëdhëniet tona bilaterale si dhe për investimet e mundshme.

Po ashtu, kam marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes, Sigurisë Kombëtare dhe Kibernetike, ISDEF 2022.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, jam pritur në takim nga Ministri i Inteligjencës i Shtetit të Izraelit, z. Stern, me të cilin diskutuam për kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë mjedisin aktual të sigurisë globale, dhe u dakorduam për të thelluar bashkëpunimin në fushën e inteligjencës në mes të dy vendeve.

Me ftesë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Operacioneve të Stabilitetit me seli në SHBA (ISOA) kam marr pjesë në forumin ndërkombëtar të ISOA-së në Gjermani ku ishin të pranishëm udhëheqës të lartë të Ushtrisë Amerikane në Evropë, përfaqësues të industrisë së mbrojtjes dhe ekspertë të sigurisë dhe mbrojtjes.

Në këtë forum kam qenë edhe folës i panelit “Kosova dhe Ballkani” dhe këtu kam theksuar që Kosova ka potencial të favorshëm për investime të huaja direkte, për ndikimin e situatës së Ukrainës në Kosovë dhe në rajon si dhe për rreshtimin e Kosovës me shtetet demokratike.

Gjatë këtyre muajve me qëllim të avancimit të bashkëpunimit bilateral, kam qenë për vizitë zyrtare, së bashku me Kryeministrin edhe në Mbretërinë e Norvegjisë.

Gjatë kësaj vizite, jemi pritur në takim nga krerët më të lartë të Norvegjisë, duke filluar nga Kryeministri z. Store, me të cilin kemi diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dyjave vendeve.

Gjatë kësaj vizite janë zhvilluar takime edhe me akterë të tjerë si:

  • Ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, znj.Anniken Huitfeldt;
  • Takim me Ministrin e Naftës dhe Energjisë, z.Terje Aasland;
  • Takim me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, z.Jan Christian Vestre.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal janë zhvilluar takime përmes VTC me Ministra të Mbrojtjes të këtyre vendeve: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Kroaci, Turqi, Bullgari, temë kryesore ka qenë situata gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral.

Në proces:

Marrëveshjet të cilat janë në proces të nënshkrimit me iniciativë të Ministrisë së Mbrojtjes janë:

  • Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Me datën 23.03.2022, në parim është aprovuar në Qeveri nisma sipas Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare.
  • Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Jordanisë. Me datën 23.03.2022, në parim është aprovuar në Qeveri nisma sipas Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare.
  • Marrëveshja SOFA ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
  • Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë.
  • Marrëveshja për Shkëmbimin e Personelit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.
  • Marrëveshja (shtet me shtet) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
  • Memorandumi i Mirëkuptimit me Malin e Zi. Memorandumet janë në fazën e harmonizimit të teksteve finale, para se të njëjtat të procedohen tutje për finalizim dhe nënshkrim.
  • Përfshirja e FSK-së në ushtrimet ushtarake ndërkombëtare

Synimi ynë është anëtarësimi në NATO, dhe këtë mund ta arrijmë me një ushtri që përmbush kriteret e vendeve aleate dhe është pjesë e misioneve të përbashkëta. Në kuadër të këtij synimi, është formuar grupi ndër-institucional për PFP, i kryesuar nga Ministria për Punë të Jashtme dhe të Diasporës, si dhe kam formuar një grup të veçantë brenda ministrisë së mbrojtjes e cila punon në identifikimin e të gjitha elementeve ushtarake për anëtarësim.

Për ta rritur ndërueprueshmërinë e FSK-së me vendet e NATO-së dhe SHBA-së, FSK-ja edhe gjatë kësaj periudhe ka marr pjesë në ushtrime ushtarake ndërkombëtare, si ushtrimi fushor “Combined Resolve 15”, “Dynamic Front 21” dhe “KFOR 30” e organizuar nga USAREUR (Ushtrisë Amerikane në Evropë), të realizuar në Gjermani, në Ushtrimin Fushor “LAUFER” në Kroaci si dhe Ushtrimi fushor “Swift Response”, i mbajtur në Slloveni.

Në kuadër të kësaj, është pjesëmarrja e FSK-së në “DEFENDER EUROPE 23”. Kosova do të jetë një prej vendeve nikoqire, në mesin e 28 shteteve. FSK-ja do të merr pjesë me 2 regjimente.

FSK-ja edhe gjatë kësaj kohe ka vazhduar me mbështetje ofruar NATO-së ne evakuimin e refugjatëve afgan, kjo është dëshmi që Kosova është partner i besueshëm i NATO-s. Për këtë mbështetje, Kosova është vlerësuar lartë nga autoritetet më të larta ndërkombëtare.

Planet kryesore për vitin 2022

Planet tona kryesore për vitin 2022 janë të përshkruara në dokumentet zyrtare të cekura në raport me shkrim dhe i kam përmendur në fushat përkatëse të raportimit tim para juve, si ato për bashkëpunim bilateral, ushtrimet fushore dhe më vonë do t’i paraqes edhe blerjet ushtarake. Për çfarëdo plani që ju intereson ta shini në më shumë detaje, mund t’i prezantoj në ndonjë vizitë tuajën në Ministri të mbrojtjes apo në formë që dakordohemi.

Në pika të shkurtra, tri ligje bazike që rregullojnë punën në Ministri të Mbrojtjes si dhe shërbimin në FSK janë në fazë përfundimtare, si dhe Ligjin për formimin e Agjencisë së Inteligjencës.

Për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, ka përfunduar procesi i identifikimit të pozitave me rrezikshmëri të lartë të korrupsionit në Ministri të Mbrojtjes në partneritetet me CIDS (Projekti nga Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes) të financuar nga Norvegjia. Po i njëjti proces i vlerësimit është duke u zhvilluar në FSK.

Çështjet Buxhetore dhe zbatimi i rekomandimeve të Auditorit Gjeneral

Shuma në total e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, është 60% më e lartë në krahasim me atë të vitit të kaluar, dhe kap shifrën prej 102.3 MIL. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë vendosur për modernizimin e FSK-së: në investime kapitale dhe në ngritjen e kapaciteteve operacionale.

Në raportin me shkrim janë detajet alokimit të mjeteve sipas kategorive.

Lidhur me Rekomandimet e Auditorit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MM-së për vitin 2020 ka dhënë pesë (5) rekomandime për menaxhmentin e MM-së.

Mbi bazën e Rregullores së Punës për Zbatimin e Auditimit dhe Planeve të Veprimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, deri më tani MM ka dorëzuar tek ZKA dy (2) raporte periodike mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të dhëna.

Nga pesë (5) rekomandimet e dhëna, vetëm rekomandimi nr. 1 vazhdon të jetë në proces të implementimit.

Rekomandimet e tjera janë të realizuara.

Sa i përket Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2021, ai është ende në formë të draftit dhe Ministria e Mbrojtjes ka bërë komente të saja mbi ato. Në momentin që ato të shqyrtohen nga Auditori, Zyra Kombëtare e Auditimit do ta finalizoj Raportin.

  • Rekrutimi

Kemi përfunduar rekrutimin e 840 rekrutëve të rinj, ndërsa tani ka filluar faza e trajnimit bazik për ta. Këtë vit planifikojmë të hapim edhe një konkurs të ri.

  • Blerjet ushtarake

Fuqizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është misioni im, andaj dhe kemi investuar në blerjen e pajisjeve ushtarake të cilat sigurojnë modernizimin e FSK-së. Blerjet janë të cekura në Planin tonë të prokurimit si dhe në raportin me shkrim të cilin e kam dërguar.

Blerjet janë duke u realizuar nga programi amerikan “FMS”, siç është rasti me blerjen e dronëve në vlerë prej 4,500.000 €, ndërsa po ashtu jemi duke pranuar donacione nga programi “FMF”.

Sfidat dhe pengesat në ushtrimin e mandatit

Padyshim se këto tre vitet e fundit kanë qenë sfidë për secilin njeri, e këtu nuk bëjnë përjashtim as institucionet.

Që nga marrja e mandatit si Ministër sfidë ka qenë përballja me COVID-19 që ka ndryshuar rrjedhjen e ngjarjeve dhe planifikimeve që në kushte normale me ngulm do t’i realizonim në plotni, por fatmirësisht kemi rënie të numrit të infektuarve dhe masat parandaluese nuk e pengojnë aktivitetin tonë ditor.

Andaj, për ta përmbyllur raportimin edhe njëherë dua të theksoj se angazhimi im praktik, qëndron në po të njëjtat aspekte për të cilat në vazhdimësi përçoj mesazhe në çdo paraqitje time publike brenda dhe jashtë vendit, e që janë:

  1. Bashkë-zbarkimi i FSK-ës me vendet partnere si kontribuuese e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.
  2. Anëtarësimi në Programin e Partneritetit për Paqe, si qëllim afatmesëm i yni.
  3. Anëtarësimi në iniciativat rajonale si: A-5, Karta e Adriatikut dhe RACVIAC.
  4. Anëtarësimi në NATO, si organizim ndërkombëtar me të cilën ndajmë vlerat e demokracisë dhe paqes.
This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.