Në prag të shënimit të 28 Nëntorit, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot mbajti ligjëratë në Kolegjin Universum (Universum International College), me temën “Roli dhe rëndësia e 28 Nëntorit: nga Ismail Qemali tek UÇK-ja”.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, ministri trajtoi rrugëtimin historik të popullit shqiptar, sakrificën e brezave për liri dhe pavarësi, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për forcimin dhe mbrojtjen e shtetit.
Me këtë rast, ministri pranoi nga drejtuesit e kolegjit Çmimin për Lidership, në vlerësim të kontributit të tij në luftën çlirimtare dhe të shërbimit ndër vite në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes.
Ministri Maqedonci shprehu mirënjohjen për drejtuesit e kolegjit për këtë vlerësim, si dhe për studentët për interesimin dhe diskutimin e përbashkët.
Ai theksoi se shërbimi ndaj atdheut ka qenë dhe mbetet nder dhe privilegj.