Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “Adem Jashari” në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia e betimit të 515 rekrutëve të gjeneratës 2026.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Gegë Lleshi dhe Enis Kervan, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade, Thomas Schulte – Borghoff, ushtarakë dhe zyrtarë lartë të FSK-së dhe ministrisë si dhe përfaqësues vendor dhe ndërkombëtarë. Në ceremoni të pranishëm ishin edhe familjarët dhe miqtë e rekrutëve të rinj.
Kjo gjeneratë përfaqëson numrin më të lartë të rekrutëve deri më tani, duke reflektuar interesimin në rritje të të rinjve për t’iu bashkuar FSK-së.
Ushtarët e rinj, të cilët sot u betuan pas përfundimit me sukses trajnimin nëntëjavor në Qendrën për Stërvitje Bazë, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, tashmë do t’i shërbejnë vendit nën emblemën e Forcës së Sigurisë së Kosovës me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve.
Urime betimin, ushtarë të rinj!