Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot dekoroi me Medaljen për Shërbim të Shquar kolonelin A. J. Berg, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me rastin e përfundimit të mandatit të tij si atashe i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, ministri Maqedonci e falënderoi kolonelin Berg për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe thellimit të partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë mandatit të tij, kolonel Berg ka dhënë kontribut të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, proceset e modernizimit, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, si dhe zgjerimin e mundësive për trajnim dhe edukim ushtarak.