Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë sot u mbajt ceremonia e diplomimit të 12 kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga gjenerata e vitit 2026.
Në këtë ceremoni morën pjesë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u.d. presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zëvendësminsitrat e Mbrojtjes, Gegë Lleshi dhe Enis Kervan, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, komandanti i FSK-së, generallejtënant Bashkim Jashari, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade, Thomas Schulte – Borghoff, zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë ndërkombëtarë.
Pas ceremonisë së betimit, 12 oficerët e rinj morën gradën e nëntogerit, të cilët iu bashkuan Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i shërbyer me krenari Republikës së Kosovës.
Diplomimi i oficerëve të rinj dëshmon përkushtimin dhe zhvillimin e një force profesionale dhe moderne, si dhe dëshmon rëndësinë e formimit të tyre ushtarak, si udhëheqës të ardhshëm në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.