Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes zhvilloi vizitë zyrtare në Berlin në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Gjermaninë

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe të Republikës Federale të Gjermanisë, nga data 23 deri më 25 qershor u realizuan vizita dhe takimet zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes Federale në Berlin.

Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes u përfaqësua nga drejtori i Departamentit për Politika dhe Strategji,  Azem Smajli, i shoqëruar nga shefi i Sektorit për Bashkëpunim Bilateral dhe Multilateral, nënkolonel Gëzim Sada dhe atasheu i mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Gjermani, kolonel Bekim Zejnullahu.

Delegacioni i Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, i përbërë nga zyrtarë të lartë, u kryesua nga udhëheqësi i Departamentit për Evropën Lindore, Azinë dhe Oqeaninë, kolonel Nils Heiko Hutter.

Takimet dhe diskutimet ndërmjet dy delegacioneve u zhvilluan në disa sesione, gjatë të cilave u trajtuan tema me rëndësi strategjike, përfshirë situatën e sigurisë në botë dhe në Evropë, luftën në Ukrainë, si dhe krizat në rajone të tjera. Me theks të veçantë u diskutua roli i të dy vendeve për të mbështetur Ukrainën, përmes angazhimit diplomatik, ushtarak dhe financiar.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zhvillimeve në kuadër të NATO-s. Delegacioni gjerman u informua për progresin e arritur nga FSK-ja, duke u theksuar se ajo aktualisht ndodhet në fazën III të tranzicionit, me synimin për të arritur kapacitetet e plota operacionale deri në vitin 2029.

Gjatë takimeve u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kontributin në operacionet ndërkombëtare. Në këtë kuadër u diskutua për zhvillimet, të cilat do të rrisin kapacitetet dhe aftësitë ushtarake të FSK-së, si dhe do të kontribuojnë për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar përmes mbështetjes së partnerëve duke marrë pjesë në misione dhe operacione ndërkombëtare.

Në sesionin kushtuar bashkëpunimit dypalësh dhe bashkëpunimit në fushën e armatimit dhe industrisë së mbrojtjes, delegacioni i Kosovës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë si dhe u ritheksua përkushtimi i Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik me Gjermaninë, zhvillimin e sektorit të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s dhe kontributin e përbashkët për të ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors