Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot studentët e nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zürich.
Vizita e studentëve në Kosovë përkoi me një javë të veçantë për vendin tonë, ku po zhvillohen aktivitetet përkujtimore për 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.
Gjatë takimit, ministri Maqedonci diskutoi rrugëtimin e Kosovës nga përpjekjet historike për liri deri te ndërtimi i institucioneve moderne të sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë luftën e UÇK-së dhe tranzicionin e FSK-së. Ai gjithashtu foli për zhvillimet aktuale në fushën e mbrojtjes, ndikimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale në sigurinë kombëtare.
Studentët dhe ministri shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat e sigurisë në rajon, partneritetin me aleatët tanë, bashkëpunimin me NATO-n dhe rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
Ministri Maqedonci falënderoi studentët për interesimin, pyetjet e thelluara dhe diskutimin konstruktiv, duke theksuar rëndësinë e këtyre shkëmbimeve akademike si dëshmi e vëmendjes në rritje ndaj Kosovës, zhvillimit të saj demokratik dhe rolit të saj në arkitekturën e sigurisë në Evropë.