Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, kanë vizituar kantierin e ndërtimit në Jahoc të Gjakovës, ku kanë filluar punimet për ndërtimin e kompleksit të parë industrial të municioneve.
Ky projekt po realizohet në kuadër të rreth 140 hektarëve të ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për industrinë e mbrojtjes dhe ndërtimin e fabrikës së parë të kësaj natyre me prodhim “Made in Kosova”, në një sipërfaqe prej 19 hektarësh.
Paralelisht me zhvillimin e punimeve në Kosovë, në Turqi po përmbyllet prodhimi i makinerisë industriale, laboratorëve dhe pajisjeve teknike të tjera. Gjithashtu, personeli profesional i angazhuar në këtë projekt do të nisë së shpejti specializimin nga MKE në Turqi, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e prodhimit vendor.
Fabrika do të prodhojë municione të kalibrit 5.56 mm dhe 7.62 mm, duke shënuar një hap të rëndësishëm për fuqizimin e industrisë së mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve shtetërore dhe garantimin e sigurisë së Republikës së Kosovës.