4
Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci :
‘’Kosova po ndërton një koncept modern të mbrojtjes — mbrojtjen gjithëpërfshirëse — të përshtatur me kushtet dhe rrethanat tona, dhe të mbështetur në përvojat më të mira evropiane. Në këtë qasje, frenimi i kërcënimeve nuk kufizohet vetëm në dimensionin ushtarak, por ndërtohet përmes institucioneve të qëndrueshme, qytetarëve të përgatitur, kohezionit shoqëror dhe aftësisë së shtetit për t’u përballur me krizat dhe për t’u rimëkëmbur shpejt.
Po ashtu, nënvizova se partneritetet nuk janë një element diplomatik dytësor, por një domosdoshmëri strategjike. Siguria e Kosovës është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, me krahun juglindor të NATO-s dhe me besueshmërinë strategjike të vetë Evropës.
Në një kohë kur teknologjia po transformon me shpejtësi karakterin e luftës dhe të kërcënimeve, ushtritë tona duhet të vazhdojnë modernizimin e kapaciteteve ushtarake, në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe me projeksionet strategjike për sfidat e së ardhmes.
Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të bashkëpunimit tonë. Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga partnerët tanë kyç, duke mbështetur zhvillimin institucional, ekonomik dhe të sigurisë së Kosovës, si dhe rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik.
Në një rajon ku paqëndrueshmëria mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm me synime destabilizuese, thellimi i bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes është thelbësor. Kosova mbetet e përkushtuar të kontribuojë përmes trajnimeve të përbashkëta, edukimit ushtarak profesional, bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, inovacionit, sigurisë kibernetike dhe koordinimit në menaxhimin e krizave.
Roli i Gjermanisë mbetet veçanërisht i rëndësishëm — si lidere në Evropë, si aktor me peshë strategjike dhe si shtyllë e besueshmërisë brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Kosova synon të jetë një partner i besueshëm dhe kontribues në sigurinë rajonale dhe evropiane. Ambicia jonë shkon përtej mbrojtjes së vetes, ne synojmë të kontribuojmë aktivisht në sigurinë e përbashkët të Evropës.”