4
Ushtarët nga komunitet joshumicë të cilët nga sot iu bashkuan Forcës së Sigurisë së Kosovës, u trajnuan në Qendrën për Stërvitje Bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, ku mësuan njohuritë bazë ushtarake për të qenë të gatshëm për ti shërbyer vendit.
Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade, Jeton Dreshaj, zyrtarë të lartë dhe ushtarakë të MM-së dhe FSK-së, si dhe familjarë dhe miqtë e rekrutëve.
Me këtë rast, zëvendësministri Gegë Lleshi përgëzoi ushtarët e rinj duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe vullnetit të tyre për t'i shërbyer atdheut. Ai theksoi se Kosova dhe FSK-ja shënojnë një arritje të veçantë që dëshmon përkushtimin për integrimin e komuniteteve joshumicë në institucionet e sigurisë. Më tej, ai tha se 36 ushtarë të rinj nga këto komunitete i bashkohen FSK-së, duke i shërbyer atdheut me nder, krenari dhe përgjegjësi. Ndërsa, gjeneral Dreshaj tha se këta ushtarë kanë dëshmuar vendosmërinë për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve, duke kontribuoar në paqe, siguri dhe integritet territorial. Certifikimi i rekrutëve në këtë ceremoni dëshmoi angazhimin e FSK-së për ndërtimin e një ushtrie moderne, profesionale dhe shumeetnike, të bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit.









