4
Gjatë këtyre dy ditëve, ministri ka realizuar takim me Shefin e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Belgjikës, gjeneral Frederik Vansina, me të cilin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe mundësitë e thellimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Në takimet me përfaqësues të industrisë së mbrojtjes u diskutua për mundësitë e furnizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me sisteme dhe pajisje moderne ushtarake, si dhe për potencialin e bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë.
Ministri Maqedonci theksoi se Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar për përshpejtimin e modernizimit të kapaciteteve mbrojtëse përmes investimeve strategjike. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se gjatë katër viteve të ardhshme janë planifikuar investime në vlerë prej mbi 1 miliard euro për zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, përfshirë avancimin e kapaciteteve luftarake, ndërtimin e infrastrukturës së re mbrojtëse dhe zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Në një mjedis të ri të sigurisë në Evropë, Republika e Kosovës synon të kontribuojë në forcimin e mbrojtjes së saj kombëtare, si dhe në sigurinë rajonale dhe euro-atlantike, duke thelluar bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.
Panaire ndërkombëtare si BEDEX 2026 përfaqësojnë platforma të rëndësishme për ndërtimin e partneriteteve afatgjata, sigurimin e qasjes në teknologjitë më të avancuara dhe forcimin e kapaciteteve të Ushtrisë së Kosovës në funksion të një të ardhmeje më të sigurt për vendin dhe rajonin.

























