4
Punëtoria u hap nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili theksoi se qëndrueshmëria kombëtare është një domosdoshmëri strategjike për përballje me rreziqet bashkëkohore, nga fatkeqësitë natyrore dhe krizat shëndetësore deri te kërcënimet e sigurisë. Ai shtoi se përballja me këto sfida kërkon një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve vendore dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm që siguron reagim të shpejtë dhe rikuperim efektiv të shoqërisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, ekspertja e NATO-s, Beaudine Verhoek, këshilltari ushtarak i Presidentes, gjeneral brigade, dr.Sefer Isufi, pastaj përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Këshilli i Sigurisë, ministri të linjës dhe institucione të tjera shtetërore dhe ndërkombëtare.
Gjatë punëtorisë u diskutua për rëndësinë e harmonizimit të infrastrukturës ligjore ndërinstitucionale, identifikimin e nevojave për koordinim dhe themelimin e Ekipit Punues për hartimin e Strategjisë së Qëndrueshmërisë Kombëtare.
Në përmbyllje, sekretari Dugolli falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e dhënë dhe theksoi rëndësinë e këtij procesi për forcimin e kapaciteteve të përgjigjes së Republikës së Kosovës ndaj çdo sfide apo krize potenciale, si dhe për avancimin e sigurisë kolektive në nivel kombëtar dhe rajonal.












