4
“Duke u bazuar në vlerat tona të përbashkëta, në orientimet e njëjta gjeostrategjike dhe në angazhimet e ndërsjella për bashkëpunim rajonal, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e hapave për mbrojtjen e territoreve dhe popujve tanë, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes,” theksoi ministri Maqedonci pas nënshkrimit të deklaratës.
Ai shtoi se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë për forcimin e lidhjeve mes tyre, rritjen e ndërveprueshmërisë mes ushtrive të tri vendeve përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, angazhimin për të luftuar kërcënimet hibride dhe mbrojtjen prej tyre, si dhe koordinimin e politikave për integrime euroatlantike, me fokus të veçantë në ndihmën për integrimin e Kosovës në nisma rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë.
Kjo deklaratë, ashtu si edhe i gjithë bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, bazohet në frymën e miqësisë ndërshtetërore dhe angazhimit të përbashkët për fqinjësi të mirë, paqe dhe siguri.
“Ky bashkëpunim nuk është kërcënim për askënd, por një angazhim shtesë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë, Kosova është më e fortë, rajoni më i sigurt dhe paqja më e qëndrueshme,” përfundoi ministri Ejup Maqedonci.










