4
Me këtë rast, morën pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar, sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Gafurr Dugolli, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i Drejtorisë për Inteligjencë në MM, gjeneral major Gëzim Hazrolli, Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi, gjeneral brigade Hysen Dreshaj, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) gjeneral brigade, Christian Nawrat, si dhe oficerë dhe zyrtarë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Objektiv i këtij ushtrimi ishte vlerësimi i kapaciteteve ushtarake të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë dhe Togut, të mbështetjes luftarake të Policisë Ushtarake, me qëllim validimin për të qenë të gatshëm në realizimin e detyrave në përmbushjen e misionit.
Në fjalimin e saj, drejtuar ushtarakëve pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për këtë ushtrim, duke theksuar se sot u demonstrua qëndrueshmëria, guximi dhe shpirti i ushtrisë sonë.
“Ushtrimi fushor “Ujku i Çeliktë”, është më shumë se një test i shkathtësisë. Ky është një demonstrim i qëndrueshmërisë, guximit dhe shpirtit të ushtrisë sonë, e cila nuk zmbrapset asnjëherë pavarësisht sfidave. Sot dëshmuat përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës, në çdo cep. Këto aftësi janë jetike jo vetëm për shtetin tonë por sigurinë dhe stabilitetin edhe të aleancave globale”, theksoi presidentja Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, u shpreh se e veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu bëhet validimi i Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë së FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë drejt standardeve më të larta ndërkombëtare.
“Validimi i këtij Regjimenti është tregues i qëndrueshmërisë dhe përcaktimit tonë për t’i forcuar kapacitetet tona mbrojtëse, të cilat patjetër që garantojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë”, tha në mes tjerash kryeministri Kurti.
Forca e Sigurisë së Kosovës bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), është duke ngritur kapacitetet operacionale të njësive, bazuar në misionin e tyre.









