Ministri Maqedonci mori pjese në ceremoninë e fillimit te vitit të ri akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

4

Në vijim keni fjalimin e plotë të ministrit të Maqedonci në këtë:

 

“I nderuar ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, z. Pirro Vengu

E nderuara ministre, znj. Ogerta Manastirliu

I nderuar Gjeneral Nuredinaj

Të nderuar ushtarakë të FARSH dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës

Të nderuar familjarë të kadetëve të tanishëm e oficerëve të ardhshëm të Forcave të Armatosura

Të dashur kadetë,

Përveç faktit që jam shqiptar i Kosovës, me Shqipërinë dhe veçmas me ushtrinë shqiptare me lidh e kaluara, e tashmja dhe padyshim që do më lidhë edhe  ardhmja. Në një kohë e rrethana krejtësisht të tjera këtu në Shqipëri, në mars të vitit 1998, pikërisht nga një ish oficer shqiptar nga Tirana i quajtur Adem Shehu mora njohuritë e para ushtarake. Ademin më vonë do ta kisha edhe komandant brigade gjatë luftës së Kosovës. Në Shqipëri do të vija më pas edhe shumë herë të tjera, si komandant i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë përmbytjeve në Qarkun Shkodër në vitin 2010, si oficer planifikues në shumë aktivitete të përbashkëta, si vizitor i bukurive natyrore të Shqipërisë  por dhe si një ndër tifozët e parë të tifo-grupit Tifozat Kuq e Zi për të ndjekur ndeshjet e kombëtares.

Sot në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, i ftuar nga Ministri Vengu erdha këtu për të shënuar një datë të veçantë për ju kadetë të dashur, datë që shënon fillimin e formësimit tuaj akademik dhe profesional. Rrugëtim ky krejt i veçantë dhe në thelb i jashtëzakonshëm.

Padyshim profesioni i ushtarakut por dhe edukimi në këtë profesion kërkon mund e sakrificë, përpjekje e angazhim.  Por ju jep mundësinë që t’i shërbeni atdheut. Kjo mundësi nuk jipet shpesh në jetë. Njeriu mund të ketë shanse e mundësi për t'u zhvilluar dhe për të punuar për veten gjatë gjithë jetës, por për të marrë pozitë publike ku mund t'u shërbesh të tjerëve dhe para së gjithash atdheut tënd, është mundësi e rrallë, e çmuar.

Duajeni këtë profesion. Jipini më të mirën që ka secili nga vetja. Do t'ju bëj krenar gjithë jetën, juve, familjen dhe fëmijët tuaj në të ardhmen.

Dy ministritë tona në vazhdimësi por në veçanti në periudhën e fundit kanë rritur, thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin e ndërsjelltë. Trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta, edukimi i kadetëve të dyja vendeve në Akademitë ushtarake të Shqipërisë dhe Kosovës dhe bashkëpunimi në shumë fusha tjera përveç që janë duke ndikuar në shkëmbimin e njohurive po ndihmojnë edhe në ndërtimin e raporteve ndërpersonale të ushtarakëve tanë duke lidhur kështu edhe më shumë kombin që jeton në dy shtete tona.

Në këtë kohë të ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë, ku siguria e përgjithshme është shëndrruar në çështje kryesore edhe në nivel global, bashkëpunimi në mes nesh nuk është vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm. Gjersa kërcënimet i kemi të përbashkëta është e pashmangshme që edhe qasjen dhe veprimet tona karshi këtyre kërcënimeve t'i kemi të përbashkëta. Përmes bashkëpunimit në fushat e stërvitjes dhe edukimit ushtarak, përveç trajnimit dhe zhvillimit individual të ushtarakëve tanë po mundësojmë edhe ndërtimin e ndërveprimit taktik dhe operacional të forcave tona ushtarake.

Të dashur kadetë,

Në këtë ditë të shënuar për ju, familjet tuaja dhe për të gjithë ne, ju uroj rrugëtim të sukseshëm në zhvillimin tuaj profesional dhe akademik, qëndroni të bindur në zgjedhjen tuaj për profesionin fisnik të ushtarakut.

Ju përshëndes në emër të Qeverisë së Kosovës, ju përcjell urimet e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Një ditë do të jeni krah për krah me ta, duke u stërvitur, në misione paqeruajtëse, e bashkë me ushtarakë të tjerë të aleatëve tanë.

Nderojeni Shqipërinë, nderojeni Kosovën, nderojeni kombin.

Na bëni krenar të gjithëve!

Urime dhe suksese. “

Post ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors