4
Në konferencën për media, organizuar me rastin e kësaj vizite, ministri Maqedonci falënderoi homologun e tij për nderin dhe respektin e treguar me rastin e zhvillimit të vizitës së parë jashtë vendit në Republikën e Kosovës.
“Me Republikën e Shqipërisë dhe me Ushtrinë shqiptare bashkëpunojmë në vazhdimësi, për tu përballur me çdo sfidë, rrezik dhe kërcënim, që synon të kërcënojë trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë tonë të përbashkët. Me mbështetjen e Republikës së Shqipërisë synojmë që në të ardhmen të jemi pjesë e strukturave tjera euroatlantike”, tha ministri Maqedonci, duke shtuar se si dy vende demokratike do të vazhdojmë të kontribuojmë në luftën globale kundër rreziqeve që kërcënojnë sigurinë globale.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu iu falënderua ministrit Maqedonci për pritjen e ngrohtë e vëllazërore dhe ndër tjera theksoi se Ministria e Mbrojtjes dhe FARSH, me te gjitha mundësitë që kanë do të mbështesin FSK-në në rritjen e kapaciteteve si dhe në investimin në kapital njerëzor.
Të dy ministrat e mbrojtjes theksuan se bashkëpunimi i shkëlqyer në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në mes të të dy vendeve do të vazhdojë të thellohet edhe më tutje, sidomos në fushën e trajnimeve dhe operacionalitetit, si dhe me theks të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake.
















