4
Në vijim gjeni fjalimin e plotë të tij:
Përfshirja e grave në çështjet e paqes dhe sigurisë është parakusht për stabilitet të qëndrueshëm. Duke qenë se gratë në vendin tonë përbëjnë mbi gjysmën e popullsisë së përgjithshme, roli i tyre në menaxhim të krizave por edhe zhvillim të qëndrueshëm të Forcës sonë është jo veçse i rëndësishëm por edhe i domosdoshëm.
Rrjedhimisht, rritja e numrit të pjesëtareve gra në ushtri do të kontribuonte jo vetëm në fuqizimin e rolit të gruas por edhe në forcimin e ushtrisë, ngase në përgjithësi, e veçanërisht në vendin tonë ato kanë qenë dhe janë faktor kyç dhe determinues i ndryshimeve të mëdha.
Në momentin që flasim përqindja e grave në FSK është diku afër 10%, e të njëjtat janë të angazhuara në të gjitha hallkat e strukturës së Forcës, si në Shtab të Përgjithshëm ashtu edhe në Komanda, përkatësisht në: Komandën e Forcave Tokësore, Komandën e Gardës Kombëtare, Komandën e Logjistikës dhe atë të Doktrinës dhe Stërvitjes. Inspektore Gjenerale është Gjeneral Irfete Spahiu, e madje dhe Akademia e Mbrojtjes udhëhiqet nga një grua, Major Mimoza Budeci.
Jemi të fokusuar që t’i japim edhe më tepër zë fushatave informuese për mundësinë e zhvillimit të karrierës ushtarake, duke pasur imazhin e gruas ushtare në qendër. Por edhe do të vazhdojmë të angazhohemi në eliminimin e pengesave që në çfarëdo forme e stagnojnë avancimin e pozitës së grave në Forcë.
Në këtë drejtim jemi tejet të vendosur që përbërja e bordeve rekrutuese e përzgjedhëse të reflektoj perspektivë gjinore, si prezencë e balancuar dhe reprezentative.
Gratë ushtare sot operojnë në kushte më të mira, për shkak të punës dhe përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve me të cilat janë përballur ndër vite, kjo qoftë përmes procedurave të hapura të rekrutimit, pagesës së njejtë për gradë të njejtë për të dyja gjinitë, garantimit dhe zbatimit të Ligjit për pushimin e Lehonisë dhe Pushimit Prindëror, si dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht të Gjirit, duke u mundësuar atyre pushime dhe pauza me pagesë.
Të gjitha këto masa të ndërmarra, e që për shtimin e të njëjtave nuk do i ndalim përpjekjet janë shtysë dhe inkurajim për integrim të grave në ushtri. Kjo pasi gratë kanë dëshmuar se janë plotësisht kompetente për të kryer të gjitha detyrat për të cilat kanë vullnetin që të angazhohen.



