4
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: kryeministri Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneral major Enver Cikaqi, oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes/ FSK-së dhe NALT, si dhe të ftuar të tjerë. Mysafire speciale në këtë ceremoni ishte Shefja e Operacioneve Aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, komandanti i KFOR-it gjeneralmajor General Özkan Ulutaş si dhe zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Bernacca.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij ndër të tjera theksoi: “Ndjehem i privilegjuar të jem sot në mesin tuaj. Çdo përshëndetje, si kjo e sotshmja, është një mundësi që na jepet për të reflektuar, një moment të vlerësimit dhe mirënjohjes për punët e përfunduara. Demokracitë e reja dhe në zhvillim ndërtohen nga kontributi i shumicës dhe është kënaqësi të theksojmë personat që i kontribuojnë asaj. Një shembull i tillë është puna e vazhdueshme dhe e palodhshme e Gjeneralit Hammerstein.
Dua të theksoj se Gjenerali, ka vepruar në një kontekst kyç, e ku puna e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës”. Më tej kryeministri Kurti vazhdoi: “Bashkëpunimi me njerëz të përkushtuar, siç ishte Gjenerali Hammerstein është një përvojë e rëndësishme për të gjithë ne. Përkushtimi i tij i palëkundur për të rritur standardet brenda institucioneve tona të sigurisë ka lënë shenjë të pashlyer dhe trashëgimi të cilën ne duhet të vazhdojmë ta lartësojmë”.
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci duke vlerësuar punën e gjeneralit Hammerstein, në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO. Prandaj, prioriteti ynë kryesor është ndërtimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s. Gjenerali Hammerstein ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përmes angazhimit të tij, gjenerali ka ofruar kontribut të rëndësishëm në rritjen e efektivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke dhënë imput në çdo proces që ndihmon në përmbushjen e standardeve të larta të kërkuara për anëtarësimin në NATO”.
Gjatë ceremonisë Gjenerali Hammerstein u dekorua me këto medalje:
Shefja e Operacioneve Aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe në këtë ceremoni ka dekoruar Gjeneralin Hammerstein me medalje të NATO-s.
Gjithashtu, ai u dekorua me medaljen për “Shërbim të shquar” nga ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.
Po ashtu, gjenerali Hammerstein u dekorua nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari me medaljen për “Shërbim vetëmohues”.
Zëvendës komandanti i KFOR-t gjeneral brigade Federico Bernacca e dekoroi gjeneralin Hammerstein me medaljen italiane “Të kryqit memorial”.
Gjatë ceremonisë ndërmjet fjalimeve dhe aktiviteteve janë ekzekutuar edhe pika muzikore.



















