4
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, si dhe oficerë dhe zyrtarë të lartë të MM-së dhe FSK-së.
Fillimisht, gratë dhe vajzat e pranishme në këtë rast i përshëndeti Presidentja Osmani duke theksuar se: “Nuk ka krenari më të madhe se sa t’i ndajmë të arriturat tona të përbashkëta me ushtaraket tona. Besoj që është pikërisht uniforma juaj që simbolizon arritjet më të mëdha të barazisë gjinore në Republikën tonë. Secila prej nesh e dimë se sa e mundimshme prezenca juaja sot, dhe fakti që numri i grave në ushtri shkon duke u rritur çdo ditë është dëshmia më e madhe se ia kemi dalë”, duke shtuar se sot kujtojmë dhe të gjitha ato gra e vajza që nuk janë më në mesin tonë, e të cilat u shndërruan në simbol rezistence, lufte dhe angazhimi për liri e barazi.
Duke vlerësuar lart kontributin e grave dhe vajzave zyrtare e ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, ministri Maqedonci tha se Dita Ndërkombëtare e Gruas shënon përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë për barazi gjinore por dhe sukseset që gratë i kanë arritur historikisht.
Më tej, ministri Maqedonci theksoi se muaji mars për kombin shqiptar ndërlidhet me qëndresën tonë për liri, ku në secilën etapë të rrugëtimit të popullit tonë për pavarësi kontribut të pa çmim kanë dhënë gratë e këtij vendi.
“Në kohë lufte ishin pikërisht gratë ato që dëshmuan se rolet gjinore të paracaktuara janë të pakuptimta, se kur bëhet fjalë për atdheun zhduken të gjitha kufizimet gjinore, atdhedashuria bëhet forca e vetme shtyese për t’i bërë ballë gjithçkaje”, pohoi ministri Maqedonci, duke shtuar se sot e përjetësisht duhet ta njohim kontributin e grave që nuk janë më dhe të luftojmë bashkë me gratë për më shumë të drejta.
Në përmbyllje të kësaj ceremonie, ministri Maqedonci potencoi se Ministria e Mbrojtjes është e përkushtuar që përtej përqindjes së pjesëmarrjes të garantojë ngritje profesionale për secilin pjesëtar të FSK-së, qoftë grua apo burrë. Implementimi i politikave demokratike të bazuara në meritokraci dhe mbikëqyrjen civile kanë për qëllim të përkrahin avancimin akademik e profesional të gruas në ushtri ashtu që kurrë të mos diskriminohen.












