4
Në nderim të të gjithë ushtarëve të UÇK-së të rënë për lirinë e vendit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ministri Mehaj, Gjeneral Jashari dhe delegacioni i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Më pas, ata vizituan familjen e lavdishme Haradinaj që dha aq shumë për lirinë e vendit, ku u pritën nga ish-kryeministri i Republikës së Kosovës dhe komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Ministri Mehaj me këtë rast theksoi se: “Ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mbrojtjen e atdheut dhe krimet e vazhdueshme të okupatorit serb, ajo që bëri që aleanca më e fuqishme ushtarake në botë të vihet në mbështetje të vlerave perëndimore, të paqes, të lirisë e të demokracisë”.
Dita e Epopesë së Dukagjinit, 24 Marsi i vitit 1998, si vazhdimësi e luftës së drejtë për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës, një vit më vonë do të pasojë po në këtë datë fillimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s e mbi caqet serbe, e cila së bashku me luftën e lavdishme të UÇK-së do të rezultojë me çlirimin e vendit.


