Mesazhet e urimit të Ministrit Mehaj drejtuar ushtarakëve të FSK-së dhe qytetarëve të vendit

4

" Të nderuar pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të dashur qytetarë,

Ju uroj të gjithëve 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Sot teksa kremtojmë e urojmë njëri tjetrin, nuk kemi sesi të mos kujtojmë të gjithë ata të cilët kontribuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë e popullit. Ata të cilët punuan e luftuan për atdheun duke lënë gjurmë të pashlyeshme në të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Ditë si kjo na shërbejnë për të reflektuar rreth asaj që mund e duam të arrijmë si shtet.

Të jemi mirënjohës për saktificën e të parëve, dhe të kujtojmë obligimin që e kemi ndaj tyre e brezave të rinj.

Sa e lavdishme po aq e vështirë ka qenë e kaluara e popullit tonë. Shumë mund e sacrificë është dashur para se ne sot të ngrisim me kaq lehtësi flamurin shtetëror.

Andaj e filluam ditën në kryeqytet, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të vazhduar në kryeqendrën e kryengritjes së popullit tonë në Prekaz, në kompleksin ‘’Adem Jashari’’, vendin ku kupton më mirë përmasat e sacrificës, guximit e atdhedashurisë, për të vazhduar më pas tek varri i presidentit të parë Dr. Ibrahim Rugova, e veprimtarit Adem Demaçi, simbol i rezistencës që jo vetëm rininë por gjithë jetën ia fali kauzave kombëtare.

17 shkurti shënon gjithë të kaluarën tonë shekullore, mijëra vite burg e betejash, civilë të vrarë, gra e burra të dhunuar, e dëshmorë të rënë në altarin e lirisë, që si rrënjët e një trungu na mbajnë të lidhur e të palëkundur në tokën ilire.

E kaluara, e tashmja dhe ardhmja vërtetë janë periudha të ndara kohore por janë të pashkëputura nga njëra-tjetra, të pandara në memorien tonë kolektive, ngase e kaluara i dha formë kësaj Republike, ndërsa e tashmja shpresë e kuptim të ardhmes.

Shtet, ushtri e liri, mbrojtje e siguri, ishte ëndrra jonë shekullore që u realizua 15 vite më parë.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Evropës iu shtua dhe një shtet që bartë në vete vlerat demokratike, ndërsa për popullin e Kosovës u vendos e drejta e mohuar për shekuj me rradhë.

Asgjë nuk do të ishte e mundur pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vullnetin e hekurt të veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, andaj u jemi falenderues gjithmonë.

Gëzuar 15 vite shtet. Shtet përjetë!"

Post ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors