4
Gjatë qëndrimit në Turqi, Gjeneral Jashari nën shoqërimin e Gjeneral Guler, u prit në takim zyrtar nga Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar. Me këtë rast, Gjeneral Jashari me Ministrin Akar, diskutoi një sërë çështjesh duke filluar nga zhvillimet e sigurisë në Evropë, ato në rajon dhe sfidat në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes. Temë e veçantë diskutimi ishte mbështetja e Turqisë për Kosovën për pjesëmarrje në programin e Partneritetit për Paqe dhe procesin e anëtarësimit në NATO. Veç tjerash me Ministrin e Mbrojtjes, Gjeneral Jashari diskutoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e ngushtë nga Republika e Turqisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë drejt modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Po ashtu Gjeneral Jashari, u prit me nderime të larta edhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, nga shefi Gjeneral Guler. Në takim me Gjeneral Guler, u diskutua pjesëmarrja e FSK në ushtrimin fushor ndërkombëtar në Turqi “EFES’2022” që ka përfunduar disa javë me herët me një performancë të shkëlqyer të pjesëtarëve të FSK-së. Gjeneral Jashari vizitoi edhe Komandën e Forcës Tokësore dhe Komandën e Forcave Speciale. Me këtë rast, Gjeneral Jashari nga komandantët e njësive përkatëse, u njoftua me zhvillimet dhe kapacitetet e tyre. Me komandantët e këtyre njësive, ai u dakordua që të rritet numri i pjesëtarëve pjesëmarrës të FSK-së në trajnime dhe shkollime profesionale që ofrohen nga to. Vizita zyrtare u vazhdua në qytetin e Stambollit, ku Gjeneral Jashari u prit me ceremoni nga kryetari i Komunës së Bajrampashës, Atila Ajdiner. Me këtë rast ai së bashku me kryetarin Ajdiner vizitoi Parkun “Adem Jashari” në këtë komunë.


