Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti në takim Zëvendës-Ndihmësen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Burcu San, me të cilën biseduan mbi zhvillimet e sigurisë, sfidat aktuale dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të Aleancës.
Ministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdon të përafrohet me standardet e Aleancës përmes modernizimit të pajisjeve dhe trajnimit të personelit ushtarak profesional, bazuar në doktrinat e vendeve tona partnere.
Ndërsa znj. Burcu San shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e saj për mbështetjen e Republikës së Kosovës ndaj Ukrainës, përmes misionit Interflex me Mbretërinë e Bashkuar dhe Koalicionit të Deminimit për trajnimin e trupave ukrainase.
Gjatë takimit, u theksua gjithashtu rëndësia e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe zbatimit të Programit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, si hapa të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, rritjes së qëndrueshmërisë shtetërore dhe përfshirjes së të gjithë shoqërisë në përballimin e sfidave të sigurisë.