Zëvendësministri Gegë Lleshi priti një delegacion amerikan për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Gegë Lleshi, priti sot në takim një delegacion ndërkombëtar të kryesuar nga Dr. Edward Plantholi dhe i përbërë nga ekspertë dhe investitorë amerikanë. Në takim mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.

Takimi u fokusua në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë në fushën e industrisë së mbrojtjes, zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, teknologjive të avancuara dhe investimeve strategjike.

Me këtë rast, zëvendësministri Lleshi theksoi përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata që kontribuojnë në transferimin e njohurive, teknologjisë dhe investimeve. Ai nënvizoi se modernizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe avancimi i kapaciteteve të saj profesionale mbeten ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministrja Kusari-Lila vlerësoi vizitën e delegacionit dhe ritheksoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ndërtuar partneritete strategjike me shtetet aleate, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo prezantoi potencialin e Kosovës në zhvillimin industrial, energjetik, minerar dhe turistik, duke theksuar se vendi ka krijuar bazën ligjore dhe institucionale për të tërhequr investime të qëndrueshme.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu mundësitë për krijimin e mekanizmave të rinj të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në teknologjitë e avancuara, transformimin digjital dhe mbrojtjen kuantike.

Anëtarët e delegacionit shprehën interes për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës, duke vlerësuar progresin e arritur në zhvillimin e kapaciteteve shtetërore dhe duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur iniciativa në fushën e mbrojtjes, teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe miqësore, me të dyja palët që shprehën gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe për të identifikuar iniciativa konkrete që kontribuojnë në forcimin e partneritetit, rritjen e sigurisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors